Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, gjatë se seancës së sotme të Kuvendit ka kërkuar që çështja e shamisë në shkolla të trajtohet nga Kuvendi i Kosovës.
Gjatë fjalës së tij ai përmendi rastin e një nxënëseje të shkollës së mesme në Pejë të cilës i është ndaluar pjesëmarrja në mësim për shkak të shamisë që mbanë.
Korenica është shprehur se deputetët kanë përgjegjësi dhe se nuk ka kuptim të votohet për çështje të tjera derisa nuk trajtohet ky rast.
Mirëpo për këtë atij i është tërhequr vëmendja nga kryeparlamentari pasi ai ka folur jashtë rendit të ditës.
Kryekuvendari Glauk Konjufca ia ka tërhequr vërejtjen duke i thënë se këtë shqetësim e të tjera mund t’i ngreh gjatë fushatës zgjedhore e jo tash.
“Unë si kryetar i Kuvendit meqë po kërkon me qenë profesional më duhet të ta tërheq vërejtjen që ishe jashtë rendit të ditës. Besoj që fushata fillon kah 16 janari dhe e keni gjithë kohën e mjaftueshme të ngrisni të gjitha problemet”, ka thënë Konjufca. /Gazeta Enigma