Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova nuk ka për qëllim të pengojë nismat rajonale si CEFTA, por se shteti duhet të veprojë me kujdes pas sulmit terrorist në Banjskë, shkruan Enigma.
Ai theksoi se shqetësimi kryesor i Kosovës është hyrja e pakontrolluar e mallrave të dyshimta, respektivisht armatimit nga Serbia.
“Ai veprim i Qeverisë nuk është bërë në asnjë mënyrë që me dëmtu CEFTA-n dhe nuk është bërë që ne të jemi domethënë planprishës të këtyre nismave rajonale. Më shumë e kemi bërë pas asaj që ka ndodhur në Banjskë. Domethënë pas Banjskës, shqetësimi kryesor i Kosovës ka qenë që nëse ka hyrje të pakontrolluar të mallrave serbe dhe të kamionëve serbë në Kosovë kjo e vendos Kosovën në një pozitë të vështirë sepse ne nuk do të mund ta kishim pastaj kontrollin edhe sa i përket mundësisë së hyrjes së gjërave shumë të dyshimta, kryesisht e kemi pasur shqetësimin te armatimi që mund të hyjë brenda Kosovës. Për këtë ne kemi pritë që do të ketë një mirëkuptim ndërkombëtar”.
Konjufca shtoi se dëshirojnë që të mos jenë pengues të funskionimit të CEFTA-s por as të jenë “naiv” që diçka e dyshimtë të hyjë nga Serbia në Kosovë.
“Unë mendoj që ka pasë mirëkuptim ndërkombëtar një vit, mirëpo tash siç po e shohim edhe Gjermani edhe disa prej shteteve të tjera janë shumë këmbëngulëse që kjo të hiqet. NE edhe dëshirojmë që mos të jemi pengues të funksionimit të CEFTA’s, por dhe në të njëjtën kohë të mos jemi aq naiv sa që të na ndodh me hy ndonjë gjë në Kosovë për të cilën ne nuk kemi kontroll e pastaj na kthehet boomerang në kuptimin e sigurisë. A është e mundshme që këto dyja të ndodhin, pikërisht për këtë po e them, që këto dyja të ndodhin është duke negociuar Qeveria edhe në këto momente zv/kryeministri dhe autoritetet tjera”, ka thënë Konjufca.