Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar Memli Krasniqin për zgjedhjen kryetar të PDK-së, ndërsa vlerëson punën e tij gjatë kohës kur ishte ministër në Qeverinë e tij.
Në Konventën e 10-të të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u zgjodh në krye të partisë.
Në një prononcim për lajmi.net, ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, uroi Krasniqin për postin e ri, teksa theksoi se është çështje e interesit të PDK-së për t’u ballafaquar me sfidat e brendshme sikurse edhe me opozitarizmin.
“I uroj z. Krasniqi zgjedhen për kryetar të PDK-së. Është çështje e interesit të kësaj partie për tu ballafaquar me sfidat e brendshme sikurse edhe me opozitarizmin”, u shpreh Mustafa.
Ai ndër të tjera tha se Memlin e njeh tash e një kohë të gjatë si veprimtar të PDK-së dhe bartës të pozitave të rëndësishme në parti, kurse mendon se Konventa bëri zgjidhjen që e ka vlerësuar.
“Memlin e njoh gjatë si veprimtar të PDK-së, si bartës të pozitave të rëndësishme në këtë parti, prandaj partia vlerësoj se ka bërë zgjidhjen që e ka vlerësuar”, deklaroi ai për lajmi.net.
Mustafa tutje theksoi se Krasniqin e kishte rival politik, por lëvdon punën e tij gjatë kohës kur ishte ministër në Qeverinë e tij, duke e vlerësuar për punën korrektësinë dhe sjelljen e tij.
“Si LDK, e kemi patur Memlin rival politik, por ka qenë edhe ministër në Qeverinë që unë e kam drejtuar. Kam qenë i kënaqur me punën, korrektësinë dhe sjelljen e tij karrshi shtetit ligjor. I uroj suksese!”, përfundoi Mustafa.
Kujtojmë se Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së në Konventën e 10-të të partisë, e cila u mbajt pasi dha dorëheqje ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili këtë pozitë e mori pasi ish-kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli po gjykohet në Hagë.
Nga 794 delegatë që morën pjesë në Konventë, 787 prej tyre votuan pro Krasniqit, kurse 7 prej tyre ishin kundër./Gazeta Enigma/