Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka paralajmëruar përsëri se mund t’i përdorë armët bërthamore në konflikte të mundshme me Korenë e Jugut dhe me Shtetet e Bashkuara, raportuan mediat shtetërore të martën.
Ai i akuzoi këto dy vende se po e provokojnë Korenë e Veriut dhe se po i rrisin armiqësitë në Gadishullin Korean.
Kimi ka bërë disa herë kërcënime të ngjashme për përdorimin e armëve bërthamore për parandalimin e sulmeve kundër vendit të tij, por paralajmërimi më i ri vjen në një kohë kur ekspertët e jashtëm thonë se Koreja e Veriut mund t’i rrisë armiqësitë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA muajin e ardhshëm.
Gjatë një fjalimi të hënën në një universitet që mban emrin e tij, Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare Kim Jong Un, ai tha se Koreja e Veriut “do t’i përdorë pa asnjë ngurrim të gjitha armët sulmuese kundër armiqve të vet”, nëse ata përpiqen t’i përdorin forcat e armatosura kundër Koresë së Veriut, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Veriut, KCNA