Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se për katër vjetët e ardhshme Bashkimi Evropian i ka ndarë 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku 882 milionë euro mund të jenë për Kosovën kur të plotësohen reformat e dakorduara.
Ai njoftoi të mërkurën se 235 milionë euro janë grante e pjesa tjetër e shumës hua, duke shtuar se këto pritet të investohen në dakordim me Komisionin Evropian. Bislimi njoftoi se po punohet në realizimin e planit që Kosovën e afron pranë inkuadrimit në BE.
“Plan ka për qëllim që vendin tonë ta sjellë më afër Bashkimit Evropian dhe të përshpejtohet procesi i arritjes së reformave, që të shpejtojmë hyrjen në Bashkim Evropian. Për katër vjetët e ardhshme nga Komisioni Evropian janë ndarë edhe 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosova do t’i ketë 882 milionë euro kur i plotësojmë reformat që jemi dakorduar me Komisionin Evropian”, ka deklaruar Bislimi para gazetarëve.
Bislimi shtoi se në mesin e reformave të dakorduara bëjnë pjesë përforcimi i administratës, organizimi i ministrive të linjës, plotësimi i kornizës ligjore të prokurimit, siguria kibernetike, forcimi i zbatimit të kornizës legjislative, të drejtat e komuniteteve joshumicë”, ka thënë ai.