Në ish-ndërtesën e Komunës paralele ilegale të Mitrovicës së Veriut, sot është mbajtur testi teorik për patentë-shofer, pasi Ministria e Infrastrukturës aty ka hapur Njësinë e Patentë Shoferit.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, vizitoi sot këtë qendër, nga ku tha se “kjo shënon herën e parë në historikun e Kosovës që ky shërbim po ofrohet ne veri të Mitrovicës”.
“Aty sot u zhvillua testimi teorik për 40 kandidatë”, shkroi Aliu në një portim në Facebook.
“Kjo shënon herën e parë në historikun e Kosovës që ky shërbim po ofrohet ne veri të Mitrovicës”, u shpreh ministri.
Më 30 gusht, Policia e Kosovës mbylli pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës.
Institucionet e mbyllura ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./Gazeta Enigma