Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Naser Hafizin, zyrtar i Ministrisë së Ambientit. Ai u arrestua në Aeroportin e Prishtinës, shkruan Enigma.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i Hafizit, Shptëtim Mehmeti.
“Kërkesa është aprovuar për caktimin e masës së paraburgimit, të njëjtën kemi me ankimu dhe me i ndjek procedurat ligjore”, ka deklaruar avokati Mehmeti për KALLXO.com.
“Diskrecioni i gjykatës është ai i cili ja falë besimin prokurorisë ose nuk ja falë e në këtë rast ia ka falur, ju ka caktuar masa për 1 muaj”- ka shtuar tutje avokati Mehmeti.
Të martën Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një aksion të përbashkët në Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës atë ditë arrestuan sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi, kurse i dyshuari tjetër Naser Hafizi, nuk është gjetur në vendbanim e tij, ndërsa u arrestua të enjten.
Hafizi dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.