Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi ka thënë se më shumë se 100 mijë qytetarë të Prishtinës e kanë kaluar COVID-19.
Gashi në emisionin e mëngjesit në RTV Dukagjini, ka thënë se këto të dhëna i kanë marrë si rezultat i hulumtimeve që ka bërë Komuna e Prishtinës.
“Në këtë hulumtim kanë marrë pjesë 1255 qytetar dhe është realizuar në muajin maj-qershor 2021. Nga ky numër i qytetarëve që janë përfshi në hulumtim del se rreth 47% kanë rezultuar pozitiv në testet serologjike dhe që e kanë kry COVID-19 kanë deklaruar se janë testu me PCR. Nga kjo i bie se në Prishtinë më shumë se 100 mijë qytetarë e kanë kalu COVID-19, që është një herë gjysmë më shumë se shifrat zyrtare që kemi, ku sipas shifrave zyrtare thuhet se janë rreth 40 mijë qytetarë që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19″, tha Gashi.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, më tej shtoi se hulumtimi tjetër që është bërë është me punëtorët shëndetësor në Prishtinë dhe me punëtorët e Komunës së Prishtinës.
“Në hulumtimin për punëtorët shëndetësorë janë përfshirë 475 nga 820 sa ka Prishtina. Rreth 17% kanë deklaru se kanë kalu COVID-19 me test serologjik pra janë verifiku përmes testit serologjik, dhe 39% me testin PCR që del 48% prej tyre kanë kaluar COVID-19. Kurse me punëtorët e Komunës së Prishtinës janë përfshirë 418 punëtorë, ku 21% prej tyre janë verifiku me testin serologjik që është prania e antitrupave se e kanë kaluar COVID-19”, tha Gashi.
Gashi theksoi se hulumtimi me punëtorët shëndetësor dhe ata të Komunës së Prishtinës, është bërë në muajt tetor-dhjetor 2020.