Ministria e Financave ka njoftuar se sot janë nënshkruar dy marrëveshje granti në kuadër të projektit “Energjia Efiçiente në Ndërtesat Publike në Prizren”, me një vlerë totale prej 1 milion euro.
Ky projekt parashikon rindërtimin, rehabilitimin dhe renovimin e rreth 100 ndërtesave publike, përfshirë qendra të mjekësisë familjare, çerdhe dhe shkolla, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për qytetarët dhe punonjësit, si dhe për të kontribuar në kursimin e energjisë, shkruan Gazeta Enigma.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në prani të Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Drejtori të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Sergiy Maslichenko, dhe Nënkryetarit të Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi.
Gjatë këtij takimi, u nënshkrua marrëveshja e grantit ndërmjet BERZH dhe Ministrisë së Financave, si dhe marrëveshja e nëngrantit që parashikon kalimin e fondeve në Komunën e Prizrenit për zbatimin e projektit.
Marrëveshjet e nënshkruara sot vijnë pas një marrëveshjeje të ratifikuar vitin e kaluar për të njëjtin projekt, me një vlerë prej 5 milion euro, duke e bërë vlerën totale të marrëveshjeve 6 milion euro./GazetaEnigma/