Fillimi edicionit 2024/25 ishte plot shpresë për tifozët e klubit të Gjilanit për një nisje të mbarë pas shumë ndryshimeve të bëra në strukturat drejtuese dhe stafin teknik.
Megjithatë, jo gjithçka duket se po shkon sipas planit, pasi që ‘kuqebardhët’ në nëntë javët e para kampionale kanë grumbulluar nëntë pikë dhe ndodhen në zonën e ‘ftohtë’.
Por, pavarësisht rezultateve aspak të mira dhe humbjes së fundit ndaj Ferizajt, burime të Gazetës “Enigma” brenda klubit gjilanas konfirmojnë që stafi teknik me në krye trajnerin Ardian Nuhiu kanë mbështetjen e plotë të drejtuesve të klubit.
Nuhiu erdhi në krye të klubit në Qershor të këtij viti dhe nënshkroi kontratë tre vjeçare me klubin nga anamorava.
Rezultatet nuk po i japin të drejtë, por duket se puna e madhe dhe profesionalizmi i shfaqur nuk e vë aspak në dyshim të ardhmen e tij, pavarësisht kritikave të shumta që ka marrë në javët e fundit.
Kujtojmë që Nuhiu kishte arritur të shpallej kampion me Dritën në edicionin 2019/20, teksa një vit më vonë kishte prekur edhe finalen e Kupës.
Para se të merrte drejtimin e Gjilanit ai ishte trajner edhe te klubi i Shkëndisë nga Tetova. /Gazeta Enigma