Leje të armëmbajtjes, Klinika e Psikiatrisë rifillon dhënien e çertifikatave

Leje të armëmbajtjes, Klinika e Psikiatrisë rifillon dhënien e çertifikatave

Klinika e Psikiatrisë ka dhënë shtatëdhjetë e dy certifikata mjekësore për qytetarët që kanë kërkuar të pajisjen me leje për armëmbajtje, raporton Gazeta “Enigma”.

Ky shërbim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është rikthyer në shtator të këtij viti.

Personat e interesuar duhet t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore nga disa profesionistë shëndetësorë.

Detajet e procedurave për pajisjen me këtë certifikatë i tregon për KosovaPress, drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci.

Dhënia e certifikatës mjekësore për leje të armëmbajtjes po konsiderohet si një mekanizëm i cili ka efekt pozitiv në sigurinë e vendit.

Njohësi i balistikës dhe sigurisë, Xhemajl Ademaj thotë për KosovaPress, se pajisja me këtë certifikatë mjekësore tregon se arma që posedon qytetari është me e kontrollueshme.

Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se brenda dhjetë muajve kanë iniciuar mbi 1.300 raste për armëmbajtje pa leje.

“Policia e Kosovës në periudhën janar-15 tetor 2024, ka iniciuar 1.333 raste nga neni 366 ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në shkresën e Policisë së Kosovës.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur me numrin e lejeve të lëshuara për armëmbajtje por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Konsiderohet se rreth 260 mijë armë pa leje janë në duart e qytetarëve të Kosovës.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim me burgim deri në 10 vjet, ose gjoba deri në 7.500 euro, për armëmbajtje pa leje.

Related Articles