Eurodeputeti holandez: BE duhet të ashpërsojë qëndrimin ndaj Serbisë për stabilitetin në Kosovë

Eurodeputeti holandez: BE duhet të ashpërsojë qëndrimin ndaj Serbisë për stabilitetin në Kosovë

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka shprehur shqetësim për situatën politike në Serbi, duke e cilësuar qeverinë aktuale si problematike.

Ai potencoi se asnjë përkrahës i vlerave evropiane nuk mund të priste që Beogradi të vazhdonte me praktika mashtruese.

Reuten kritikoi ndikimin e mediave të kontrolluara nga Qeveria serbe, të cilat, sipas tij, formojnë narrativat që ndikojnë në opinionin publik.

“Ne duhet t’i themi qartë autoriteteve serbe se çfarë presim prej tyre. Nuk duam që ata të vijnë në Bruksel për të deklaruar se janë të angazhuar për anëtarësimin në BE dhe pastaj të kthehen në Beograd për të injoruar këtë angazhim,” tha ai, transmeton Gazeta Enigma.

Ai kërkoi një qëndrim më të fortë nga Bashkimi Evropian ndaj Serbisë, veçanërisht për të parandaluar destabilizimin e situatës në Kosovë.

“Bashkimi Evropian duhet të jetë më i ashpër në lidhje me këto çështje,” shtoi ai.

Reuten gjithashtu komentoi rënien e mbështetjes për integrimin evropian në sondazhet e fundit, duke theksuar se kjo është një pasojë e informacionit të manipuluar.

“Mediat janë nën kontroll të qeverisë dhe ndjekin narrativën e saj. Ky është një debat i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të qytetarëve të thjeshtë,” theksoi ai.

Përsa i përket ndikimit të mesazhit të tij tek qytetarët serbë, ai shprehu shpresën se ata do ta pranojnë.

“Edhe pse Serbia nuk është ende anëtare e BE-së, mendoj se është në interes të qytetarëve serbë dhe në interesin tonë të kërkojmë mbrojtjen e mjedisit kur bëhet fjalë për këto projekte. Ky është parimi bazë kur ndërtohet një biznes me mirëbesim dhe transparent. Besoj se është në interesin e njerëzve, por duhet ta vendosim në një kontekst ku po ndihmojmë kompanitë dhe aktorët nga të dyja palët që të zbatojnë rregullat. Është mirë që bashkëpunojmë, por bashkëpunimi duhet të jetë sipas ligjit”, thekson ai./GazetaEnigma/

Related Articles