Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, gjatë qëndrimit të tij në Washington, takoi Drejtorin e Departamentit Evropian në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Alfred Kammer.
Ismaili e njoftoi Kammerin për zhvillimet e fundit në sektorin financiar, duke përfshirë avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, shkruan Gazeta Enigma.
Qëllimi i takimit ishte rritja e qëndrueshmërisë së sektorit financiar dhe përmirësimi i zbatimit të aktiviteteve të Bankës Qendrore në kuadër të programeve me FMN, si dhe asistencat teknike që janë në zhvillim e sipër.
“Diskutimi u fokusua në masat që BQK ka ndërmarrë për të forcuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar, përfshirë kapitalizimin e sektorit bankar dhe nismat e reja ligjore. Asistencat teknike pritet të zbatohen gjatë vitit të ardhshëm, në përputhje me objektivat e planit strategjik,” u tha në një kumtesë.
Të dy palët ri-theksuan angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë, me qëllim të arritjes së objektivave dhe projekteve që do të kenë një ndikim pozitiv në sektorin financiar dhe në ekonominë e Kosovës./GazetaEnigma/