Me të siguruar një vend në Universitetin e Prishtinës, studentët që vijnë nga komunat tjera të Kosovës menjëherë nisin të mendojnë për vendbanimin e tyre.
Konvikti është njëra ndër zgjidhjet më të lehta për ta.
Mirëpo shpeshherë është raportuar për keqpërdorim të kësaj të drejte që ata fitojnë, pra për banim dhe ushqim, në Qendrën e Studentëve.
E për këtë, kjo qendër u ka bërë thirrje studentëve që kanë siguruar vend në konvikte dhe mensë, që të heqin dorë nga tendenca dhe qëllimi për manipulimet eventuale për shitje dhe blerje të vendeve në konvikte dhe kartelë të mensës.
Në njoftim thuhet se Qendra e Studentëve ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për parandalimin e kësaj dukurie.
“Njoftohen të gjithë studentët të cilët kanë siguruar vend në konvikte dhe mensën e studentëve, që të heqin dorë nga tendenca, qëllimi për manipulimet eventuale për shitje dhe blerje të vendeve në konvikte dhe kartela të mensës”.
“Qendra e Studentëve ka ndërmarr veprimet e nevojshme për parandalimin e kësaj dukurie. Ka angazhuar zyrtar të cilët janë duke e gjurmuar tendencën, por figurojnë profile të rrejshme”.
“Andaj i’u bëjmë thirrje studentëve që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve të shfaqura në rrjetet sociale. Ndaj këtyre rasteve do të merren masa ndëshkuese konform rregullorës së Qendrës së Studentëve dhe nuk do të lejohen të ndodhin këto veprime”, thuhet në njoftim.