Deputetë të Bundestagut gjerman konfirmojnë se Gjermania po intensifikon përpjekjet për të ndihmuar Kosovën të sigurojë mbështetjen e shumicës në Komitetin e Ministrave, për anëtarësimin në Këshillin e Evropës (KiE).
Kosova e aplikoi anëtarësimin në këtë organizatë më 12 maj 2022, ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti më 16 prill 2024 raportin e Dora Bakoyannis, i cili rekomandon pranimin e Kosovës, njofton Gazeta Enigma.
Megjithatë, aplikimi has në pengesa në Komitetin e Ministrave për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme.
Gjermania, një nga mbështetëset kryesore të Kosovës, po punon për t’i siguruar shumicën e votave, konfirmon deputeti liberal Thomas Hacker, raportues për Kosovën në Bundestag.
“Ishim ne që e shtymë Kosovën të aplikonte, sepse besojmë se ajo e ka vendin në këtë organizatë. Fatkeqësisht, kur erdhi koha për votim, u pa se Kosova nuk e kishte shumicën e nevojshme, prandaj këshilluam shtyrjen e aplikimit. Gjermania është e angazhuar seriozisht për ta ndihmuar Kosovën të arrijë këtë qëllim,” tha Hacker.
Edhe deputeti gjerman Boris Mijatović shprehet i zhgënjyer që Kosova nuk arriti të sigurojë mbështetje të mjaftueshme.
“Na befasoi fakti që disa shtete nuk ishin gati ta mbështesnin. Diskutimet mes shteteve anëtare po vazhdojnë, dhe kur të sigurohet shumica, do të caktohet një datë për anëtarësim,” tha ai, duke theksuar nevojën për seriozitet në trajtimin e kësaj çështjeje.
Në këtë proces, Kosova përballet me kundërshtime nga Serbia, e cila ka lobuar aktivisht kundër anëtarësimit, duke shkelur Marrëveshjen e Ohrit.
Ndërkohë, shtetet kryesore të Këshillit të Evropës po i kërkojnë Kosovës hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si pjesë e përpjekjeve për të zhbllokuar procesin e anëtarësimit./GAZETAENIGMA/