Qytetarët e Gjilanit në muajt e fundit kanë vërejtur se i pari i qytetit të tyre, Alban Hyseni është “zgjuar nga gjumi”, pasi është filluar me punime në shumë pjesë të qytetit, shkruan Gazeta Enigma.
Pas gati katër vite mandat, tek javë më parë nisi mbulimi i ujërave të zeza afër kazermës së FSK-së, rikonstrukturimi i rrugës “Kadri Zeka” ku u ngushtua trotuari për këmbësorë e u zgjerua për automjete, hapja dhe mbyllja e rrugës Gjilan – Kamenicë, madje me punime edhe në lagjen e njohur si “Varoshi”, në qytet është krijuar një lloj “kaosi” për qarkullim të automjeteve dhe këmbësorëve.
Pse një angazhim i papritur i tillë?
Gazeta Enigma kontaktoi me Shpresa Kurteshi-Eminin, e cila është Këshilltare në Kuvendin Komunal të Gjilanit dhe njëherit është anëtare e kryesisë së LDK-së në këtë komunë.
Asamblistja e LDK-së, këto punime i sheh si fushatë e kryetarit Hyseni, ndërkohë që po ashtu thotë se të njëjta janë duke u realizuar “pa plan të mirëfilltë”, për shkak të mos punimeve në pjesën nëntokësore.
“Aty sigurisht që është duke u punuar me plan jo të mirëfilltë, është duke u bërë një punë në mënyrë “paushallë”, për shkak se këto rrugë nuk është duke u punuar dhe nuk është punuar në infrastrukturën nëntokësore, gjë që është shumë e rëndësishme, siç janë kanalizimet, rrjetet e ndryshme të rrymës, e që në Gjilan e dimë se kemi vazhdimisht përmbytje, vërshime të ujërave, pikërisht për shkak të punës që nuk bëhet me kohë”, tha Kurteshi-Emini për “Enigmën”.
Anëtarja e LDK-së shprehet se Lëvizja Vetëvendosje nuk është marrë me ndërtimin e impiantit për ujëra të zeza, për të cilin tha se ka qenë projekt madhor i LDK-së.
“Projekti i impiantit të ujërave të zeza ka qenë projekt madhor i LDK-së, i cili ka mund ta rregulloj krejt këtë çështje, kjo qeverisje nuk është marrë aspak me këtë projekt, gjë që ka mundur me e “çliru” Gjilanin në këtë drejtim. Por janë duke i bërë disa projekte në mënyrë sipërfaqësore, jo në kohë të duhur”, tha Kurteshi-Emini.
“Për tri vjet qeverisje ka qenë totalisht i heshtur, tash ka nisë një aktivizëm, sigurisht se kjo shkon në atë që së shpejti ka me pas zgjedhje, një lloj fushate, gjë për të cilën unë mendoj se qytetari nuk do të mashtrohet kaq lehtë, sepse kemi shumë rrugë të tjera në të cilat nuk është punuar, kemi rrugë që kanë mbetur shumë keq, kah Qenar Qeshmja, kah Zabeli, fatkeqësisht po shihet se çka po bëhet me pengesat që po vendosen “plan e pa plan”, gjë që po shkakton tollovi”, deklaroi ajo.
LVV arsyetohet pse nuk punoi gjatë verës
Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje këtë nuk e shohin si fushatë, por thjesht si kryerje e punëve të zakonshme.
Këshilltari komunal nga kjo parti, Ismajl Kurteshi, tha për Gazetën Enigma se arsyeja që punimet kanë filluar me hov në këtë kohë, është kërkesa e bizneseve që të mos punohet gjatë verës, për shkak se një gjë e tillë do t’ia pamundësonte të ardhurat atyre nga diaspora.
“Kjo punë e di sa ka pas me fillu në maj ose qershor, por kanë ardhur pronarët e 10 apo 15 bizneseve në atë rrugë dhe kanë thënë: ‘Ju lutemi, mos filloni punimet në kohën kur vijnë diaspora dhe ne mezi që e presim atë kohë për me pas punë. Rruga mbyllet, punë nuk ka me pas dhe për neve është jashtëzakonisht keq’. E tash pasi që është dashtë me pritë për me kalu sezona e verës, tash është dashtë të fillohet në këtë kohë”, tha Kurteshi.
Ai tha se i vjen mirë që po punohet kështu dhe se uron që një gjë e tillë të vazhdojë.
“Sa i përket punimeve të shumta, mua po më vjen mirë që po punohet shumë. Është dashtë me u punu edhe ma herët kështu, në dobi të shtetit. Për detajet e projekteve unë nuk jam ekspert, diku i zgjerojnë, diku i ngushtojnë, por besoj që ata që kanë marrë vendime, dinë ma shumë se unë për punën e projekteve. Që po punojnë shumë, mendoj se mirë po ja bëjnë, uroj që të vazhdojnë kështu, pa ndërprerë të punohet, kushdo që është në pushtet, jo vetëm tash”, deklaroi Kurteshi.
I njëjti tha se i mbetet qytetarëve nëse duan ta shohin këtë si fushatë apo si punë të zakonshme.
“Tash njerëzit e shohin edhe secili le ta vlerëson në mënyrën e vetë. Dikush le ta vlerëson fushatë, dikush le të vlerëson si punë, por esenciale është që në Gjilan po punohet diçka, po shpresoj që puna është e kualitetshme, do të jetë e kualitetshme, edhe e qëlluar, natyrisht se përherë mundemi me bo ndonjë vërejtje – dikush pse kaq vonë, dikush pse kaq herët – por në përgjithësi jam për të punuar dhe prej asaj pune me përfituar qytetarët, e mundësisht asnjë centë mos me shku nëpër xhepa të atyre që i kanë në dorë këto projekte”, shtoi më tej Kurteshi.
Çështja e autostradës Gjilan – Prishtinë
Qytetarët e Anamoravës kanë mbetur “në terr informativ” sa i përket asaj se si po shkojnë punime me autostradën Gjilan – Prishtinë, e cila nisi të punohej qe tashmë një dekadë.
Shpresa Kurteshi thotë se Qeveria Kurti e ka anashkaluar totalisht Anamoravën, ndërkohë që thotë se Hyseni “nuk ka fuqi të madhe politike për të shtyrë projekte të mëdha politike”.
“Përveç që nuk ka fuqi, edhe Qeveria në nivel vendi nuk është e interesuar me lehtësu qarkullimin për qytetarët e Anamoravës, me e bashku me pjesë të tjera të Kosovës. Fatkeqësisht ka mbetur shumë anash dhe nuk po mund të shkohet përpara. Me këto politika që janë duke u bërë, nuk pritet asgjë”, tha Kurteshi-Emini.
Ajo komentoi edhe deklaratën e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili së fundmi kërkoi që të mos pyetet më në lidhje me autostradën e Gjlanit, pasi tha se “po priton me fol për këtë punë”.
“Kjo nuk është vetëm deklaratë e thjeshtë, por sinqerisht kanë përtu me u marrë me këtë punë dhe nuk ka qenë interes i Qeverisë me u marrë me Gjilanin. Në Gjilan Vetëvendsje është mësu me marrë vota, por me kry punë nuk kam pa deri tash”, tha ajo.
Kurteshi – Emini kritikoi edhe deputetët e Vetëvendosjes që përfaqësojnë Gjilanin, për të cilët tha se nuk kanë bërë asgjë për të shtyrë përpara këtë projekt.
“Është e çuditshme madje pasi ka një numër të konsiderueshëm të deputetëve që përfaqësojnë Gjilanin dhe një autostradë mos me mujt me e përfundua, veçanërisht po flas për deputetët e Vetëvendosjes, është e çuditshme qysh nuk kanë bërë asgjë në këtë projekt”, përfundoi Kurteshi – Emini. /GAZETA ENIGMA