Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme të Serbisë për të mos dënuar Aleksandar Vulin, zëvendëskryeministër i Serbisë, për deklaratat e tij të cilësuara si diskriminuese dhe denigruese ndaj shqiptarëve, shkruan gazeta Enigma.
Ai kishte përdorur termin ‘Shiptar”, fjalë kjo që sipas Mustafit “Është përpjekje për të ulur dinjitetin e shqiptarëve, për t’i përjashtuar, për t’i kriminalizuar dhe për t’i çuar në një ndarje të thellë etnike”.
“Në vend që të dënonte atë që bën publikisht thirrje për qasje diskriminuese, nxitje të dhunës dhe intolerancës ndaj komunitetit shqiptar si qëllimi i Vulinit – atëbotë në cilësinë e ministrit të mbrojtjes, ajo e merr në mbrojtje. Termi i tij i përdorur “šiptar” nuk është thjesht një fjalë. Është përpjekje për të ulur dinjitetin e shqiptarëve, për t’i përjashtuar, për t’i kriminalizuar dhe për t’i çuar në një ndarje të thellë etnike”, theksoi ai.
Sipas tij, padia e ngritur që më 25 gusht 2019, për diskriminim, kriminalizim, nxitje dhune dhe gjuhë denigruese, tani përfundimisht merr një tjetër dimension.
“Dhe mos të mendojmë që kemi të bëjmë vetëm me një figurë të fuqishme politike – kjo është një provë e madhe për një drejtësi që refuzon të mbrojë të drejtat themelore të njeriut”.