Bedri Hamza, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka shpërndarë në Facebook një informacion të detajuar mbi takimet që do të zhvillojë me diasporën kosovare.
Hamza ka bërë të ditur se do të vizitojë disa qytete ku jetojnë kosovarë të shumtë, për t’u takuar dhe diskutuar me ta rreth çështjeve të rëndësishme që prekin komunitetin e mërgimtarëve dhe zhvillimin e Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Në postimin e tij, Hamza theksoi rëndësinë e diasporës për shtetin e Kosovës, duke e cilësuar atë si “pjesë e qenësisë, historisë dhe zhvillimit të Kosovës.”
Ai theksoi se mërgimtarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përparimin ekonomik dhe social të vendit dhe se është e domosdoshme të mbahen lidhje të ngushta me ta për të ndihmuar në avancimin e Kosovës në nivele të reja.
Ndër tjera, Hamza i ftoi të gjithë kosovarët që jetojnë në diasporë të bashkangjiten në tubimet e tij.
“Bashkëbisedimi me bashkatdhetarë është gjithmonë kënaqësi. Ju ftoj të më bashkoheni në tubimet e mëposhtme me diasporën gjatë muajit nëntor. Bashkë mundemi ‘Ma Mirë’”, ka pohuar Hamza./GazetaEnigma/