Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka theksuar se Kosova ka bërë progres në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai e bëri këtë deklaratë gjatë takimit me kryetaren e Komitetit për çështje të BE-së në Parlamentin e Polonisë, Agnieszka Pomaska, të enjten, njoftoi Zyra e Qeverisë, shkruan Gazeta Enigma.
Bislimi shtoi se, përveç përparimeve në integrimin evropian, Kosova ka shënuar progres edhe në fushat ekonomike dhe demokratike, përkundër barrierave të pranishme.
Së bashku biseduan mbi fuqizimin dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, gjersa zëvendëskryeministri e falënderoi shtetin mik të Polonisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. Ai veçoi mbështetjen në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian si dhe përkrahjen në anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Rreth rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së, zëvendëskryeministri theksoi avancimin dhe progresin e shënuar nga Kosova në katër vitet e fundit dhe synimin tonë për ecjen përpara në këtë proces, përmes marrjes së pyetësorit dhe rrjedhimisht statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në dritën edhe të Presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së që do ta kryesojë Polonia nga 1 janari 2025. Zëvendëskryeministri potencoi se Kosova ka njohur progres ekonomik dhe demokratik, përkundër barrierave me të cilat jemi përballur. Trajtoi dhe punën e zhvilluar në kuadër të Planit të Rritjes, arritjen e liberalizimit të vizave dhe potencialin zhvillimor të vendit”, thuhet në komunikatë.
ZKM-ja ka shtuar tutje se Pomaska shprehu mbështetjen e Polonisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e zgjerimit. Ajo ka thënë se Polonia e përkrah Kosovën prej shpalljes së pavarësisë./GazetaEnigma/