KB Krusha dhe zonja Fahrie Hoti kanë reaguar në lidhje me një postim të Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, i cili kishte deklaruar se kjo ministri kishte paditur Hotin në vitin 2017, shkruan Enigma.
KB Krusha e ka quajtur shpifje këtë deklaratë. Në një reagim nga KB Krusha kanë thënë se deklaratat se Fahrije Hoti është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017 për kthimin e një shume prej 17,800 eurosh janë të pabaza dhe tendencioze.
Për këtë çështje KB Krusha njofton se ka thirrur konferencë për media për të hënën.
“Duke marrë parasysh se kohëve të fundit, përmes rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të Facebook-ut të Ministrit të Bujqësisë, z. Faton Peci, po qarkullojnë deklarata dhe informacione të pabaza dhe tendencioze, me pretendimin se znj. Fahrije Hoti është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017 për kthimin e një shume prej 17,800 eurosh, ne ndjejmë të nevojshme të reagojmë. Gjithashtu, kemi vërejtur një përpjekje për të politizuar këtë situatë, duke e lidhur atë me ngjyrime partiake, çka është e papranueshme dhe e pavërtetë.
Për këtë arsye, ftojmë të gjitha mediat e Kosovës të marrin pjesë në një konferencë shtypi, ku do të paraqiten fakte dhe argumente që demantojnë këto pretendime të rreme të shpërndara nga z. Peci”, thuhet në reagim.