Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përshëndetur miratimin e Rezolutës nga Kuvendi i Kosovës, për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, raporton Gazeta Enigma.
Përmes një statusi në Facebook presidenti shqiptar ka thënë se duke e përkrahur këtë Rezolutë, i bashkohet pikëllimit të thellë për viktimat e pafajshme dhe nderimit të kujtimit të tyre, dënimit të çdo përpjekje për mohimin e këtij gjenocidi.
“Vetëm duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe bashkëjetesën etnike e fetare do të konsolidojmë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe do të ecim përpara drejt së ardhmes të përbashkët në Bashkimin Evropian”, ka shkruar ndër të tjerash Ilir Meta.
Postimi i plotë i Metës:
“E përshëndes miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të Rezolutës për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, masakrës më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, që ndodhi 26 vite më parë, në zemër të Europës dhe që kurrsesi nuk duhej të ishte lejuar të ndodhte.
Duke e përkrahur këtë Rezolutë, i bashkohem pikëllimit të thellë për viktimat e pafajshme dhe nderimit të kujtimit të tyre, dënimit të çdo përpjekje për mohimin e këtij gjenocidi dhe e përqafoj thirrjen për të bërë çdo përpjekje, që përgjegjësit e kësaj masakre të marrin dënimin e merituar nga drejtësia.
Vetëm duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe bashkëjetesën etnike e fetare do të konsolidojmë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe do të ecim përpara drejt së ardhmes të përbashkët në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Meta./Gazeta Enigma/