Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Kosova disponon dëshmi të komunikimit të terroristëve që kryen sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, i cili ndodhi të premten e kaluar, shkruan Enigma.
Bislimi në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se dëshmi të tjera janë vështirë të gjenden, pasi sulmi terrorist ka ndodhur në kanalin që sjellë ujë.
“Sulmi terrorist ka ndodhur në kanalin që sjellë ujë dhe rrjedhimisht edhe në vendin e krimit është e vështirë të gjenden dëshmi të caktuara. Dëshmitë që ne kemi kanë të bëjnë me komunikime që kanë ndodhur para sulmit dhe ndoshta pas saj, që kërkojnë natyrë tjetër të forenzikës”, tha Bislimi.
Tutje, Bislimi tha se duhet të kujdesen që sulmi terrorist që ka ndodhur në Ibër-Lepenc të mos bëhet një test i aftësisë së Kosovës për ta dëshmuar kryesin e krimit dhe aftësisë së Serbisë për ta kryer një krim perfekt, teksa tha se të gjitha informacionet që posedojnë, çojnë në atë se prapa sulmit qëndron Serbia.
“Të gjitha informacionet që i kemi, çojnë vetëm në një adresë dhe mendoj se do të ishte e palogjikshme që të merremi me atë se a ka dëshmi të mjaftueshme apo jo. Me rëndësi tash është që të analizohet se cili ka qenë qëllimi primar i këtij sulmi”, tha Bislimi.