Hajredin Kuçi dhe Isni Kilaj sot përballen me Specialen

Hajredin Kuçi dhe Isni Kilaj sot përballen me Specialen

Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të dalin para gjykatës, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, raporton Gazeta Enigma.

Aktakuza ndaj tyre flet për ndikimin mbi dëshmitarët që Kuçi dhe Kilaj pretendohet se bënë.

Bashkë me ta akuzohen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.

Senaca për Kuçin fillon në orën 10:00, kurse për Kilajn në orën 13:00.

Ndërkohë kujtojmë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk janë deklaruar rreth aktakuzës së ngritur ndaj tyre për ndikimin mbi dëshmitarët. Ndërkaq, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, është deklaruar i pafajshëm.

Gjatë seancës, Thaçi tha se nuk do të deklarohet, pasi nuk e ka lexuar aktakuzën në tërësi dhe se i duhet ta lexoi që ta kuptoi.

“E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Por, unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd. Prandaj, kërkoj edhe sot – unë respektoj dhe besoj në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – nga të gjithë, kudo që jeni ulur, në cilëndo anë apo në çdo uniformë që jeni në këtë sallë të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, theksoi Thaçi.

Pas deklarimit të Thaçit, gjykatësja kërkoi një pauzë të shkurtër, pasi avokatja e Thaçit kërkoi kohë që t’i japë udhëzime atij. Pas kësaj, Thaçi sqaroi se kur u pyet fillimisht nga gjyqtarja nëse i ka kuptuar akuzat ndaj tij, ai nuk e kishte kuptuar mirë pyetjen. Gjykatësja kërkoi nga palët që të vendosin një datë për vetëdeklarimin e Thaçit. / Gazeta Enigma.

Related Articles