Anglia triumfoi ndaj Danimarkës në vazhdime me rezultat 2-1, falë një penalltie të akorduar në Raheem Sterling, pasi koha e rregull u mbyll 1-1 dhe kjo ka bërë që shumë njohës të futbollit të cilësojnë si vendim të turpshëm dhënien e penalltisë.
Penalltia ishte momenti që e ktheu Anglinë te fitorja, që e shndërroi dominimin e saj në një epërsi që do ta dërgonte atë në finalen e Euro 2020. Por, gjithashtu ky vendim ka sjell polemika dhe sipas mendimit të shumë njerëzve, ishte një vendim i pasaktë që i kushtoi shtrenjtë një skuadre plot shpirt si Danimarka.
Sterling ishte në zonë dhe u rrëzua lehtë në prani të Joakim Maehle dhe Matthias Jensen, u gjykua të ishte faull dhe një kontroll nga VAR-i vendimi mbeti si penallti. Ky vendim ka krijuar polemika të mëdha mes tifozëve që debatonin për vendimin në internet, ndërsa vendimi u cilësua si i padrejtë edhe nga shumë ish-lojtarë dhe ekspertë që besojnë se Danimarka u dëmtua.
Në panelin Optus Sport, ish-sulmuesi i Anglisë, Darren Bent ka thënë se ai mendon se turma prej 60 mijë tifozësh në Wembley kishte ndikuar në vendimin e gjyqtarit.
“Nuk është një penallti, nuk ka asnjë kontakt aty brenda. Unë mendoj se ka një prekje të vogël”.
“Nuk mendoj se ishte një penallti, por Raheem Sterling fitoi të drejtën për ta marrë atë penallti sepse sa herë që merrte topin, ai po hynte në zonë dhe përpiqej të bënte gjërat të ndodhnin”, ka thënë Bent.
I të njëjtit mendim është edhe ish-reprezentuesi holandez, Nigel de Jong.
“Nëse jemi plotësisht të sinqertë, kjo nuk është një penallti dhe jam shumë i befasuar që VAR-i nuk e mori përsëri dhe thjesht e shqyrtoi atë pak më gjatë”, ka thënë holandezi pas ndeshjes.
Ishte një ndjenjë që bëri jehonë në të gjithë botën, me ish-lojtarin gjerman Dietmar Hamann që arriti aq larg sa e quajti atë një “simulim i hapur”.
“Ky është një vendim i turpshëm. Ne sollëm VAR-in për arsyen e saktë të ndalimit të këtyre vendimeve. Nuk ka asnjë lloj kontakti. Sapo e vuri topin para tij, Sterling po binte. Mendoj se është një vendim i turpshëm”, ka thënë Hamann.