Dy vite nga dorëzimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE, ende në pritje

Dy vite nga dorëzimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE, ende në pritje

Dy vite më parë, më 15 dhjetor 2022, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dorëzoi kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian, Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së.

Më 15 dhjetor 2022, Kurti u takua në Pragë me kryeministrin e atëhershëm çek Jan Lipavski dhe ministrin e Çështjeve Evropiane Mikulas Bek.

Në një konferencë të përbashkët me Bek, Kurti i dorëzoi kërkesën zyrtare të Kosovës për t’iu bashkuar familjes evropiane.

Dy vite më vonë, kërkesa e Kosovës është ende në pritje.

Zyrtarë të Këshillit të Bashkimit Evropian nuk iu përgjigjën kërkesës së Kosovës të premten, ndërsa Komisioni Evropian tha se janë të gatshëm të formulojnë mendim për këtë çështje, nëse Këshilli e kërkon.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE

Ndërkohë, Bashkimi Evropian vendosi masat në Kosovë në fund të qershorit 2023 për shkak se Kosova nuk ndërmori hapat e nevojshëm për të de-përshkallëzuar situatën në veri të vendit. Masat i referohen ndërprerjes së vizitave dhe kontakteve me zyrtarët kosovarë dhe bashkëpunimin financiar të BE-së me Kosovën.

Nga Kosova thonë se janë të gatshëm për rrugëtimin evropian dhe se e meritojnë edhe heqjen e masave edhe pranimin e kërkesës për anëtarësim.

Zyrtarët e Kosovës i referohen nivelit të lartë të zbatimit të Programit Kombëtar për Integrime Evropiane, liberalizimit të vizave pas disa vitesh pritje dhe progresit në sundimin e ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe rritjes ekonomike, si rezultate që dëshmojnë se Kosova është e gatshme për hapat e ardhshëm në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe harmonizimit me standardet e BE-së.

Ata po ashtu theksojnë se Kosova është e gatshme të fillojë të gjitha procedurat e nevojshme për anëtarësim në BE.

Pas dorëzimit të aplikacionit, Kosova duhet të kalojë nëpër tri faza kryesore – marrjen e statusit të kandidatit, negociatat për anëtarësim dhe ratifikimin e traktatit.

Statusi i kandidatit jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian, dhe më pas Këshilli dhe kandidati bien dakord për kornizën për negociatat e anëtarësimit.

Negociatat e anëtarësimit fillojnë pasi vendi kandidat përafron ligjet e tij me rregullat e BE-së. Ato përfundojnë kur secili nga 35 kapitujt e “acquis” të BE-së mbyllet unanimisht.

Traktati i anëtarësimit nënshkruhet nga shteti kandidat dhe BE-ja, me pëlqimin e Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, dhe më vonë ratifikohet nga kandidati dhe të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së individualisht, pas së cilës ai bëhet i detyrueshëm.

Related Articles