Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, Luka Mesec, që në bazë të fotografisë duket të ketë qenë jozyrtar.
Zyra e Kryeministrit tha se ata diskutuan, ndër tjerash, edhe për “situatën gjeopolitike në botë me theks në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit perëndimor”.
“Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale Kosovë – Slloveni, mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe për rolin e mërgatës sonë në forcimin e urave ndërmjet dy popujve dhe vendeve. Gjithashtu bashkëbiseduan edhe për situatën gjeopolitike në botë me theks në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit perëndimor”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, si në rrafshin evropian e ndërkombëtar ashtu edhe në fushën e sigurisë, ku trupat sllovene në Kosovë shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR”, thuhet në njoftim.