Ministria e Ekonomisë ka lansuar Ankandin e Parë të Erës prej 100 MW në Kosovë, me ç’rast kryeministri Albin Kurti tha se ekonomia e Kosovës po rritet me ritëm më të shpejtë në rajon.
Kurti theksoi rëndësinë e investimeve në kapacitete të reja të energjisë.
Tutje Kurti tha se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit ua ka bërë me dije rëndësinë për fuqizimin energjetik.
“Këtë vit të suksesshëm për sektorin e energjisë po e mbyllim edhe me një sukses, hapjen e ankandit të parë të erës 100 MW. Ekonomia jonë po rritet me ritmin më të shpejtë në rajon, me rritjen e bruto produktit vendor në 6.36%. Sot kemi dyfishim të eksporteve dhe dyfshim të investimeve të huaja direkte. Kjo rritje reflektohet edhe në rritjen e konsumit të energjisë nga bizneset tona. Dy vite më parë, agresioni i Rusisë në Ukrainë kishte shkaktuar një krizë energjetike. Kësisoj e kuptuam se varësia nga importi i energjisë është i rrezikshëm jo vetëm për ekonominë por edhe sigurinë kombëtare. Sulmi ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Ibër Lepencit na e bëri me dije se sa është e rëndësishme që ne të forcohemi edhe në kuptimin energjetik. Andaj shumëfishimi i burimeve të energjisë, nuk është zgjidhje vetëm për sektorin e energjisë por edhe për të mbrojtur pavarësinë energjetike të Kosovës”, tha Kurti.
“Dy vite më parë, pak para se ta shpallim ankandin tonë të parë diellor me kapacitet 100 MW agresioni i Rusisë, në Ukrainë kishte shkaktuar një krizë të paparë energjetike në mbarë kontinentin tonë. Kësisoj i gjithë rajoni e kuptuam përfundimisht që varësia nga importi i energjisë e veçanërisht nga shtetet autokratike janë të rrezikshme jo vetëm për ekonominë por edhe për sigurinë kombëtare. Edhe tash para këtij ankandi që po e lansojmë u përballëm me një rikujtim të ngjashëm. Sulmi kinetik ndaj infrastrukturës sonë kritike në kanalin Ibër-Lepenc për furnizim me ujë e me energji na e bëri me dije se sa është e rëndësishme që ne të forcohemi edhe në kuptimin energjetik të qeverisjes sonë”, thekspi Kurti.
Tutje ai shtoi se “Diversifikimi dhe shumëfishimi i burimeve të energjisë, sidomos të energjisë së ripërtritshme nuk është vetëm zgjidhje për zhvillim e sektorit tonë energjetik e të ekonomisë, por edhe domosdoshmëri për të mbrojtur pavarësinë energjetike të Republikës së Kosovës. Këtu jemi me fat që Kosova ka potencial të madh natyror për energji të ripërtërishme me rrezatim të bollshëm për energji të diellit, e erëra të forta në malet tona për energji të erës. Me punë e përkushtim insitucvional ky potencial kthehet në kapacitet gjenerues e prodhues”.
Kujtojmë se ky projekt po bëhet me përkrahje të Korporatës Ndërkombëtare Financiare si këshilltar kryesor i transaksionit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). / Gazeta Enigma.