Kurti: Ai që mohon gjenocidin e Srebrenicës, e mban të gjallë ëndrrën e përsëritjes së tij

Kurti: Ai që mohon gjenocidin e Srebrenicës, e mban të gjallë ëndrrën e përsëritjes së tij

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se miratimi i Rezolutës për Srebrenicën, në Kuvendin e Kosovës, ishte detyrë e tyre ndaj drejtësisë dhe paqes.

Në një intervistë për radiosarajeva, ai ka deklaruar se me miratimin e kësaj rezolute, kryen detyrën e tyre si përfaqësues të popullit të Kosovës, për të dënuar këtë gjenocid, përcjell klankosova.tv.

”…për të dënuar këtë gjenocid të egër i cili, siç thashë në fjalën time të djeshme në Kuvend, është krimi më i madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, shprehet tutje ai.

”Ne dënuam me forcë gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë. Dhe kjo, jo vetë vrasjet, por të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut. Ne e dimë se ka më shumë se 1000 boshnjakë të cilët janë ende të listuar si të zhdukur. Gjithashtu, ne në Kosovë kemi 1632 qytetarë tanë të cilët ende janë të listuar si të zhdukur sepse nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me ta gjatë viteve 1990″.

Duke folur me rastin e 11 korrikut, ditës përkujtimore të gjenocidit në Srebrenica, Kryeministri Kurti u bën thirrje parlamenteve të vendeve në rajon që gjithashtu të miratojnë një Rezolutë mbi gjenocidin e Srebrenicës.

“Përveç dënimit të gjenocidit të regjimit serb në Srebrenica në 1995, ne gjithashtu dënuam çdo tendencë për të mohuar me qëllim, publikisht gjenocidin në Srebrenicë, me qëllim për të nënvlerësuar viktimat dhe për të mbuluar krimet e kryera”.

”Ne e dimë se Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar Rezolutën për Srebrenicën dhe ne besojmë se parlamentet e tjera në rajon duhet të bëjnë të njëjtën gjë …”.

Sipas tij ata që e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë në një farë mënyre besojnë se ajo duhej të kishte ndodhur, përcjell klankosova.tv.

”Ata identifikohen me kriminelët. Më duhet të them se në atë mënyrë ata mbajnë gjallë ëndrrën e përsëritjes së gjenocidit!”, deklaroi Kurti.

Kurti në këtë formë sipas radiosarajeva, e bëri shumë të qartë se “ai që mohon gjenocidin e ndodhur, lë derën hapur për një përsëritje të gjenocidit”.

Related Articles