Ministri i Kulturës i Kosovës, Hajrulla Çeku, ka shprehur reagimin e tij pas refuzimit të kërkesës nga autoritetet serbe për të vizituar Luginën e Preshevës, vetëm një orë para udhëtimit të planifikuar.
Vizita ishte parashikuar për të takuar kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, dhe për të vizituar disa institucione kulturore dhe rinore në rajon, shkruan Gazeta Enigma.
Çeku ka shprehur shqetësimin se ky veprim nga ana e Serbisë është një shkelje e Marrëveshjes së Brukselit, që parashikon një afat 48-orësh për përgjigje në kërkesat për vizita zyrtare.
“Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë.
Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për tu pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë. Qeveria e Serbisë refuzoi hyrjen në Serbi vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar Çeku në Facebook.
Çeku ka theksuar se ky refuzim nuk do të pengojë përpjekjet e Kosovës për të mbështetur dhe qëndruar pranë qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët vazhdojnë të përballen me vështirësi në të drejtat e tyre.
“Qëllim i vizitës sonë ishte takimi me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës, takim me organizata rinore dhe kulturore.
Përkundër kësaj, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim e të jemi pranë qytetarëve të Preshevës, teksa Serbia vazhdon ta dëshmoj e ridëshmoj se nuk është e interesuar për marrëdhënie normale fqinjësore”, ka shtuar Çeku.
Më herët ka reaguar edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Ajo ka theksuar se veprimi i Serbisë është një tentativë për të penguar bashkëpunimin dhe komunikimin institucional mes Kosovës dhe Luginës së Preshevës.
Edhe politikani shqiptar i Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, ka reaguar në lidhje me refuzimin e vizitës. Ai e ka cilësuar këtë veprim si një përpjekje të Serbisë për të izoluar shqiptarët dhe për të ndërprerë lidhjet kulturore mes Kosovës dhe Luginës./GazetaEnigma/