Karrierës së tij të gjatë si diplomat amerikan i erdhi fundi, e bashkë me të edhe mandatit si ambasador në Kosovë.
Një lamtumirë për ndarjen me shtetin për të cilin u angazhua shumë vite dhe fjalë të forta që Kosova dhe institucionet ti kenë në kujtesë.
Por të mira nuk qenë krejt përvojat e Hovenierit me qeverinë aktuale që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Hovenier tha se po të ishte raporti ndryshe, disa çështje do të merrnin tjetër drejtim.
“Po të ishte raporti ndryshe, disa çështje do të merrni tjetër drejtim. Mendoj se do të kishim një trajektore më të qartë në anëtarësimin në BE dhe NATO, këto janë dy gjëra që Kosova mund të ishte tashmë anëtare e Këshillit të Evropës”, tha Hovenier.
Hovenier dje në Klan gjithashtu bëri me dije se shteti i tij ka angazhuar FBI-në për të ndihmuar autoritetet kosovare në lidhje me hetimet për rastin e sulmit në kanalin e Ibër Lepencit, më 29 nëntor.
“Ne kemi ofruar dhe kemi sjellë mbështetjen e FBI-së këtu në Kosovë tani për të punuar drejtpërdrejt dhe me kohë të plotë me organet e zbatimit të ligjit të Kosovës për të ndihmuar në identifikimin e përgjegjësve dhe për të siguruar që ky hetim të jetë i besueshëm, i plotë dhe të çojë në përfundimet e duhura”, tha ai.