Drejtori në detyrë i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka thënë se qytetarët duhet të vaksinohen pa asnjë hezitim – si me Pfizer, ashtu edhe me AstraZeneca.
“E vetmja mënyrë që skenarët e këqija të mos ndodhin është vaksinimi i popullatës. Në vendin tonë ka filluar vaksinimi masiv, dhe qytetarët nuk duhet ta kenë asnjë hezitim. Zgjidhja më e mirë është vaksinimi dhe atë vaksinimi me të gjitha llojet e vaksinave që i kemi, sepse që të gjitha janë vaksina të mira dhe të aprovuar nga agjencionet kredibile botërore dhe janë shumë efikase”.
Ai, në Info Magazine ka deklaruar se vaksinat, posaçërisht AstraZeneca për të cilën pati hezitim të madh, me të cilat po imunizohen kosovarët janë të sigurta.
“Është e vërtetë se ka pasë hezitim, por mendoj që me kalimin e kohës hezitimi ka filluar të zvogëlohet dhe hiqet. Janë vaksina të sigurta. Ekziston një probalitet që mund të mpikset gjaku, por nëse analizojmë ato probaliteti është i njëjtë me atë që mund të aksidentohemi derisa shkojmë në shtëpi”.
Pse te disa persona ka reaksione pas vaksinimit e te disa të tjerë jo?
“Jo të gjithë njerëzit reagojnë njësoj ndaj një substance të huaj. Ka njerëz që janë alergjikë në polen, arrë, kikirikë ose të tjera, por jo të gjithë njerëzit kanë këto alergji. Është e pamundur që të gjendet një vaksinë ideale që te të gjitha njerëzit mos të ketë efekt anësor. Ato efekte janë minore në raport me dobinë çfarë e kanë – dobia është shumë më e madhe sesa një efekt anësor si dhembja në vendin e injektimit, temperaturë pak më e lartë ose molisje”.