Atmosfera zgjedhore veç se ka filluar të ndjehet në Kosovë, nga data 11 janar (nesër) deri më 8 shkurt një ditë para zgjedhjeve, fillojnë fushatat të cilat do të zgjasin për një muaj, ku e kanë mundësinë kandidatët për kryeministër të tentojnë që përmes projekteve që kanë planifikuar t’i shpalosin të bindin votuesit që t’i zgjedhin ata.
Për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025 janë certifikuar 27 parti subjekte politike me 1280 kandidatë, ku 19 prej tyre janë parti politike, pesë koalicione, dy nisna qytetare dhe një kandidat i pavarur, shkruan Gazeta Enigma.
Secila parti politike që është certfikuar ka të drejtë të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore.
KQZ ka bërë të ditur se gjithsej brenda dhe jashtë Kosovës janë 2 milionë e 75 mijë e 685 votues të cilët do të kenë të drejtë vote.
Pas këtyre zgjedhjeve do të zgjedhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulës dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Ndër të tjera nga 9 janari deri më 8 shkurt, mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9 shkurt. Ndërsa më 8 shkurt, ata do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike të Kosovës në 22 vende të botës.
Këto janë subjektet politike:
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me numër 118;
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 124;
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 131;
Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore – 137;
Srpski Narodni Pokret – 133;
Partia Liberale Egjiptiane (PLE) – 115;
Opre Roma Kosova – 136;
Koalicija Vakat – 135;
Nova Demokratska Stranka – 119;
Jedinstevna Goransla Partija – 113;
Kosova Demokratik Turk Partisi – 134;
Socialdemokratska Unija- SDU – 127;
Za Slobodu Pravdu Opstanak – 132;
Kosova Adalet Turk Partisi – 122;
Partia Fjala – 138;
Koalicioni për Familjen – 129;
Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar – 117;
Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës – 111;
Kandidati i pavarur Fatmir Bytyçi – 128;
Partija Kosovskih Srba – 120;
Partia e Ashkalinjve për Integrim – 123;
Srbska Demokratka – 116;
Lista Serbe – 112;
Partia Rome e Bashkuar e Kosovës -114
Nasa Bosnjacka Koalicija -121
PDAK-LPB -125
Gradjanska inicijativa Narodna Pravda -126
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit – në orën 07:00 – dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit.
Pra, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit. Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008./GazetaEnigma/