Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, nga hapja e fushatës së kësaj partie, i ka çuar një mesazh direkt Lëvizjes Vetëvendosje.
Abdixhiku para simpatizantëve të LDK-së tha që t’u thonë zëshëm, nëpër çdo cep të Kosovës, le t’u thonë cep më cep se “paratë e vjedhura do t’i ktheni cent më cent”.
“Le t’u themi qartë, le t’u themi zëshëm nga kjo sallë, nëpër çdo cep të Kosovës, le t’u themi cep më cep, paratë e vjedhura do t’i ktheni cent më cent sepse 9 shkurtit po vjen dhe ora e ndryshimit ka nisur numërimin prapa. Ky numërim, na sjell tek e vërteta e popullit të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Më tej, Abdixhiku tha se në Republikën që ëndërrojnë, kryeministri nuk vendoset mbi Prokurorinë dhe kryeministri nuk e mbron hajninë.
“Në Republikën tonë, propaganda nuk zëvendëson realitetin me tabela fiktive. Në Republikën tonë, tabela e vetme është ajo e familjeve kosovare që jetojnë, punojnë, përpiqen për një jetë të ndershme”.
“Në Republikën tonë qeveria s’e shkel Kushtetutën 10 herë, e hajnia, vjedhja e krimi nuk maten me kutin e krahasimit të së shkuarës por dënohen sepse hajnia është hajni, vjedhja është vjedhje e futja e duarve në bukën e Kosovës do të dënohet edhe para vendit edhe para Zotit edhe para vet shtetit”, tha Abdixhiku.