Në zbatim të dispozitave ligjore në fuqi dhe në përputhje me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Ministri i Shëndetësisë ka miratuar vendimin për caktimin e dy laboratorëve referentë në kuadër të IKSHPK-së, raporton Gazeta “Enigma”.
“Laboratori për Influencë është caktuar si laborator referent për diagnostikimin dhe monitorimin e Influencës dhe viruseve të tjera respiratore në nivel kombëtar; dhe Laboratori për Fruth dhe Rubellë është caktuar si laborator referent për diagnostikimin, monitorimin dhe studimin e Fruthit dhe Rubellës”, thuhet në njoftimin e tyre.
IKSHPK ka njoftuar edhe për rolin e Laboratorit Referent për Influencë.
“Funksionon si qendër diagnostike për influencën dhe viruset respiratorë në Kosovë, është pikë kyçe kontakti me OBSH, ECDC dhe institucione ndërkombëtare për çështje virologjike, respekton standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për biosigurinë dhe transportin e mostrave infective”, e shumë pika të tjera thuhet në njoftim. /Gazeta Enigma/