Vazhdojnë thirrjet e BE-së për dialogun: Kërkojmë përpjekje maksimale nga Kosova e Serbia

Vazhdojnë thirrjet e BE-së për dialogun: Kërkojmë përpjekje maksimale nga Kosova e Serbia

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet ndaj Kosovës dhe Serbisë për të intensifikuar përpjekjet në procesin e dialogut.

Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka deklaruar se Bashkimi Evropian po vazhdon angazhimin e tij për të mbështetur dialogun mes dy vendeve dhe ka kërkuar që edhe vetë palët të tregojnë përkushtim të njëjtë, shkruan Gazeta Enigma.

Sipas Hipper, dialogu ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe mbetet një mjet i fuqishëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Ne gjithmonë besojmë në fuqinë e dialogut dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe e nevojshme. Prandaj ne po vendosim të gjitha përpjekjet tona në dialog dhe prandaj po u kërkojmë palëve të përfshira që të bëjnë të njëjtën gjë”, është shprehur Anitta Hipper.

Këto deklarata ajo i ka bërë pas mbylljes së institucioneve paralele serbe, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës sqaroi se këto nuk janë struktura të mbështetura nga Serbia, por institucione të paligjshme që sfidojnë rendin dhe kushtetutën e vendit.

Qeveria madje hodhi poshtë zotimin e pretenduar nga BE se statusi i tyre është pranuar që të zgjidhet përmes dialogut.

Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, u pyet nga gazetarët që të sqaronte se çfarë u kërkoi palëve të bënin konkretisht.

Ajo u përgjigj duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit në dialog në mënyrë konstruktive.

Megjithatë u zu ngushtë kur u pyet për faktin që shumica e takimeve që thirren dështojnë, ashtu siç ndodhi me mbledhjen inauguruese të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur të luftës.

Pavarësisht se ndërmjetësuesi. Miroslav Lajçak, konfirmoi se ishte pala serbe ajo që solli dështimin e takimit, zëdhënësja Hipper tha se do ta komentojë në një moment të dytë çështjen.

Kujtojmë se kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, refuzoi të merrte pjesë në takim, siç tha, për shkak të mbylljes së institucioneve paralele serbe./GazetaEnigma/

Related Articles