Gjykata jep dënimin për Batatinën pasi e kanosi gjyqtarin Nuza

Gjykata jep dënimin për Batatinën pasi e kanosi gjyqtarin Nuza

Gjyqtari i futbollit, Genc Nuza thotë se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka vërtetuar kanosjen ndaj tij nga ana e trajnerit të Llapit, Tahir Batatina, të cilin e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 600 euro.

Njëri prej referëve më të mirë të viteve të fundit në futbollin kosovar, i cili e mban edhe stemën e FIFA-s, e ka bërë një postim në rrjetet sociale duke e konfirmuar vendimin e Gjykatës, pasi në Prokurorinë Speciale në Prishtinë e kishte denoncuar trajnerin llapjan pas ndeshjes mes Prishtinës dhe Llapit, e cila ishte zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Trajneri i klubit të futbollit Llapi, Tahir Batatina është dënuar me 600 euro gjobë nga gjykata për kanosjen e gjyqtarit Genc Nuza.

Një aktgjykim i gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Donikë Shala-Abdyli e ka shpallur Batatinën fajtor për veprën penale të kanosjes.

Sipas aktgjykimit, të nxjerrë më 31 dhjetor të vitit 2024, Batatina është dënuar me gjobë prej 600 eurosh të cilën është i obliguar ta paguajë në afat prej 31 ditësh.

Rasti ka të bëjë me një incident në një ndeshje të Superligës së Kosovës në futboll në gusht të vitit 2024.

Batatina e kishte kërcënuar gjyqtarin Nuza pas ndeshjes Prishtina-Llapi, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 31 gusht.

“Do ta shofësh nga sot se a do të gjykosh në ndeshje futbolli, do të kesh punë me mua personalisht, vetëm në qoftë se vdesësh do të shpëtosh”, i ka thënë Batatina, Nuzës, në përfundimin e ndeshjes derisa gjyqtari iu ishte drejtuar dhomës së zhveshjeve në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Gjyqtari, i cili mban stemën e FIFA-s, tha sot në një shkrim në profilin e tij në rrjetet sociale se të martën e pranoi aktgjykimin për rastin të cilin e kishte denoncuar muaj më parë.

“Gjykata e ka cilësuar si fajtor personin që ka kryer veprën penale të kanosjes ndaj meje gjatë ushtrimit të detyrës sime zyrtare si gjyqtar futbolli”, tha Nuza.

Nuza tha se gjithmonë do t’i drejtohet organeve të sigurisë për raste të tilla.

“Pavarësisht dënimeve që shqiptojnë organet e drejtësisë, ju siguroj se për çdo sulm, kërcënim, akuzë dhe shpifje ndaj meje dhe familjës time, gjithmonë do t’i drejtohem organeve të drejtësisë”, tha ai.

Ky është një nga rastet e rralla, në mos i pari, në të cilin një trajner i një klubi futbolli në Kosovë dënohet nga gjykata për incidente brenda fushës së blertë.

Related Articles