462 policë të rinj kanë diplomuar të premten, të cilët pritet të kontribuojnë në sundimin e rendit dhe ligjit. Derisa 79 prej tyre janë nga komuniteti serb. Këta i takojnë gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës është një nga shtyllat kryesore të shtetit duke garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë.
Në ceremoninë e diplomimit, Osmani u shpreh se “krenaria sot është jashtëzakonshme sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë që do t’i dalin zot atdheut tonë”. Ajo tha se Policia e Kosovës është mburoja e paqes dhe lirisë.
Osmani potencoi se policët janë shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë së secilit qytetar pavarësisht etnisë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate të Policisë së Kosovës e tregon strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë.
Ai potencoi se 462 pjesëtarë të rinj i janë bashkuar Policisë së Kosovës, prej tyre 406 djem e burra dhe 56 vajza e gra. Ai shtoi se 343 prej të diplomuarve janë shqiptarë, 79 serbë, 23 boshnjakë, 6 turq, 3 ashkali dhe 2 rom.
Kurti tha se zotimi i kësaj qeverie për 2 mijë policë të rinj është përmbushur dhe po tejkalohet.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se diplomimi i kësaj gjenerate është hap i rëndësishëm për Policinë e Kosovës. Sveçla u shpreh se me diplomimin e gjeneratës së 61-të, Policia e Kosovës do të jetë më e fortë dhe më e sigurt.
Sipas tij, falë punës së pandalshme dhe profesionalizimit të Policisë e Kosovës, ajo renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të rendit dhe ligjit sipas projektit botëror për drejtësi.
Sveçla potencoi se Kosova sot renditet e 22-ta në botë për ndjenjën e lartë të sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se ky institucion është një organizatë multietnike që reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare. Ai u drejtua policëve të rinj duke u thënë se sfidat do të jenë të shumta dhe se nuk do të jetë rrugë e lehtë.
Hoxha potencoi se sipas hulumtimeve viteve të fundit del se Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm i Republikës së Kosovës, duke shtuar se kjo shton edhe me shumë përgjegjësinë e tyre.
Ndërkaq, zëdhënësi i gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës, Granit Kosumi u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përpjekjeve për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin. Ai u zotua se do të punojnë me përkushtim për të ruajtur besimin që e kanë qytetarët në Policinë e Kosovës.