Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka emëruar 414 persona për procesin e votimit që do të zhvillohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës më 8 shkurt, raporton Gazeta “Enigma”.
Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës ky votim do të organizohet në 19 shtete të ndryshme të botës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka njoftuar se pos anëtarëve të rregullt që janë emëruar edhe 184 anëtarë të tjerë janë rezervë.
“Sipas vendimit të KQZ-së, Këshillat e Vendvotimeve në një qendër votimi në përfaqësi diplomatike do të përbëhen nga 5 anëtarë, 4 prej të cilëve përfaqësojnë subjektet politike parlamentare që i janë nënshtruar pragut zgjedhor dhe 1 tjetër është përfaqësues nga përfaqësia diplomatike. Pra, në përgjithësi, numri i anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që do të angazhohen në ditën e votimi më 8 shkurt, është 230 anëtarë, prej të cilëve 184 përfaqësojnë subjektet politike dhe 46 të tjerë përfaqësitë diplomatike. Ndërkaq, numri i anëtarëve rezervë është 184”, deklaroi ai.
Elezi tutje ka theksuar se sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në gjithsej 46 vendvotime në kuadër të 17 ambasadave dhe 15 konsullatave të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës.
“Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike, të cilat janë kryesisht të vendosura në shtete evropiane. Votimi do të organizohet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ambasadën e Kosovës në Uashington, në konsullatën e Nju Jorukut dhe Iowas, në ambasadën dhe konsullatën e Kosovës në Kanada dhe në ambasadën e Kosovës në Australi. Pra, sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në gjithsej 46 vendvotime në kuadër të 17 ambasadave dhe 15 konsullatave të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës”, tha Elezi për “Enigmën”.
Përfaqësitë diplomatike në të clat do të organizohet procesi i votimit më 8 shkurt 2025 janë: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); ShBA (Washington – ambasadë; New York – konsullatë; Iowa – konsullatë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Kanadë (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); Turqi (Ankara – ambasadë; Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë); dhe Australi (Kanbera – ambasadë).
Kujtojmë se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi në përfaqësitë diplomatike do të organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, pra në këtë rast më 8 shkurt 2025. /Gazeta Enigma/