Partitë me planprogram “shkel e shko” sa i përket dhunës në familje

Partitë me planprogram “shkel e shko” sa i përket dhunës në familje

Edhe pse një krizë në rritje në Kosovë, dhuna në familje është kryesisht e neglizhuar në platformat e partive politike që synojnë pushtetin në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Me premtime të paqarta dhe angazhime sipërfaqësore, analistët thonë se trajtimi real i situatës nuk duket në horizont.

Të dhënat që Radio Evropa e Lirë i siguroi nga Policia e Kosovës, tregojnë se vitin e kaluar, numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje ka shënuar ngritje në krahasim me vitin 2023.

Më 2024 kishte 2.959 raste, kurse më 2023 – 2.460 raste.

Në shumicën dërrmuese të tyre, viktima janë gratë.

Nga viti 2010, ndërkaq, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra – dy prej tyre vitin e kaluar. Në të shumtën e rasteve, autorë të këtyre krimeve kanë qenë bashkëshortët ose ish-bashkëshortët.

As në tubimet që mbajnë me qytetarë, kjo temë nuk dominon.

Çka thuhet në platformat zgjedhore të partive?

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka të publikuar program të zgjeruar zgjedhor në formë të shkruar.

Por, në shpalosjen e zotimeve të kësaj partie, udhëheqësi i saj, Albin Kurti, foli për çështje që prekin familjen, si: prona, trashëgimia, dhuna, divorci e alimentacioni.

“Përgjigjja jonë do të jetë themelimi i gjykatës për çështje familjare, e cila me prioritet dhe shpejtësi do t’i trajtojë rastet, të cilat qytetarët i adresojnë në gjykata”, tha Kurti, pa dhënë detaje të tjera.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ai njoftoi edhe për hyrjen në fuqi të monitorimit elektronik të kryesve të dhunës apo të dyshuarve, duke thënë se mbikëqyrja e tillë “do ta luftojë dhunën në familje si asnjëherë më parë”.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, në programin e saj zgjedhor, zotohet se do të zhvillojë një “qasje gjithëpërfshirëse” për ta luftuar dhunën ndaj grave.

Sipas PDK-së, kjo synohet të bëhet “duke integruar njësi të specializuara policore, shërbime të përkushtuara mbështetëse, trajnime të synuara dhe fushata të ndërgjegjësimit publik, që sigurojnë përgjigje gjithëpërfshirëse dhe efektive për mbrojtjen dhe fuqizimin e grave në mbarë Kosovën”.

Partia tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, e prek çështjen e dhunës në familje në kontekstin e zotimeve për fuqizimin e infrastrukturës policore.

“Në këtë drejtim, do të angazhohemi që viktimat e dhunës në familje të trajtohen në mënyrë të veçantë, përfshirë dhoma të ndara për intervistim”, thuhet në programin zgjedhor të LDK-së.

Kjo parti parasheh, gjithashtu, investimin e 2.5 milionë eurove në sistemin e kamerave në trup te policët që trajtojnë dhunën në familje.

Në programin e saj thuhet se do të ketë edhe Ministri të Familjes dhe Mirëqenies.

Kjo e fundit përmendet edhe në programin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Aty thuhet se përgjegjësi e kësaj ministrie do të jetë “hartimi dhe angazhimi multidisiplinar për një strategji gjithëpërfshirëse kundër dhunës në familje”.

Më konkretisht se si ose kur do të realizohen këto, nuk specifikohet në programin e asnjërës parti.

“Me informata të gabuara”

Për Adelina Berishën, menaxhere e programit kundër dhunës me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, qasja e partive politike ndaj dukurisë së dhunës në familje, është vetëm “shkel e shko” apo “klishe”.

Unë nuk kam parë program serioz ose qasje serioze te partitë politike në përgjithësi, lidhur me trajtimin e dhunës në familje…”

“Ato as që e kanë marrë mundin të shohin se çfarë ekziston dhe çfarë duhet bërë… Për shembull, te PDK-ja thonë ‘një qasje gjithëpërfshirëse’ dhe ‘të integrohen njësitë e specializuara policore’. Kjo është informatë e gabuar, sepse secili stacion policor e ka njësinë për trajtimin e dhunës në familje”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Informata të tilla të gabuara, sipas saj, kanë edhe partitë tjera.

“Një prej ideve të LDK-së është ‘krijimi i dhomave të ndara për intervistim në stacionet policore’ – gjë që tashmë ekziston në shumicën e stacioneve policore të Kosovës. Një gjë që ndodh në praktikë, ata e kanë futur në program”, thotë Berisha.

Vërjetje të ngjashme me të ka edhe Vebi Mujku nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale.

“Unë nuk kam parë program serioz ose qasje serioze te partitë politike në përgjithësi, lidhur me trajtimin e dhunës në familje apo të të gjithë segmentit të mirëqenies sociale… sepse dhuna në familje ndërlidhet edhe me divorcin, me alimentacionin, me besimin e fëmijëve dhe kontaktimin e tyre. Pra, janë disa pasoja shkaku i dhunës në familje”, thotë Mujku për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë duhet të bëjë Qeveria e ardhshme?

Berisha thotë se përballja efikase me dukurinë e dhunës në familje duhet të nisë me parandalimin e rasteve të kësaj dhune.

Edkimi për barabarësinë ndërmjet gjinive, “jashtë normave patriarkale dhe sociale që mirëmbajnë dhunën në familje dhe gratë në pozita të rrezikshme”, duhet të nisë qysh në çerdhe, thotë ajo.

Ndaj, shton Berisha, kushdo që merr pushtetin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të duhej t’i qasej fuqizimit të sistemit të arsimit, për të ndikuar në ndryshimin e normave sociale.

Ajo konsideron se komunikimi i mirëfilltë ndërmjet ekzekutivit dhe sistemit gjyqësor e prokurorial, ndihmon gjithashtu në luftimin e dukurisë së dhunës në familje.

Sipas Berishës, të domosdoshëm janë edhe këta hapa: sigurimi i të gjithë mekanizmave për sistemin e mbrojtjes së viktimës, shtimi i stafit në qendrat për punë sociale dhe trajnimi i gjithë stafit lidhur me legjislacionin, ngritja e kapaciteteve dhe trajnimi i stafit në sistemin shëndetësor për identifikimin e viktimave të dhunës në familje.

“Duhet shumë punë që dhuna të parandalohet. Por, edhe në rastet kur ndodh ajo, ne duhet t’i kemi në dispozicion të gjithë mekanizmat që e mbrojnë viktimën”, thekson Berisha.

Për Mujkun, kushdo që qeveris vendin në të ardhmen, duhet të rregullojë një vijë vertikale të përgjegjësisë për këtë çështje.

Sipas tij, një pjesë e shërbimeve sociale janë nën kompetencën e qendrave për punë sociale të nivelit komunal, ndërkohë që politikat i zhvillon niveli qendror.

“Ky sistem duhet ta ketë vijën përgjegjëse, pra kush e merr hapin e parë, të dytë, të tretë… e jo të mbetet duke u hedhur faji nga një institucion në tjetrin”, thotë Mujku.

Institucionet e Kosovës në disa raste kanë shkëmbyer akuza mes vete.

Në prill të vitit 2024, kur në Kosovë janë vrarë dy gra brenda pak ditësh, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se dhunuesit, shpeshherë, “bëhen vrasës”, për shkak të “mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse”.

“Kur dhunuesi e sheh që po ledhatohet nga sistemi, ai e përsërit veprën penale”, ka thënë atëkohë Haxhiu.

Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me minimum 10 vjet burgim dhe me maksimum burgim të përjetshëm.

Për të akuzuarit për dhunë në familje, Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime me gjobë dhe deri në tre vjet burgim.

Por, në një raport që ka publikuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, në vitin 2023, është thënë se shumë pak të akuzuar për veprën e tillë janë dënuar me burg – shumica me gjobë.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, numri i grave që përjetojnë dhunë në familje në Kosovë, është shumë më i lartë se shifrat zyrtare.

Ata thonë se dhuna nënraportohet për disa arsye, përfshirë: presionin social mbi gratë, mungesën e pavarësisë së tyre ekonomike dhe mostrashëgimin e pasurisë nga prindërit.

Related Articles