Sulmuesi anësor, Almir Kryeziu, ka nënshkruar me Dritën për tri vitet e ardhshme.
Kryeziu vitin e fundit ishte te Arbëria, ku me paraqitjet e tij, ra në sy, duke shënuar edhe gola, ndërsa mori ftesë edhe nga Kosova U21.
“Sulmuesi këmbëshpejtë Almir Kryeziu është përforcimi ynë më i ri, i cili më parë ishte pjesë e KF Arbëria”.
“Marrëveshja është arritur sot pas një takimi në mes të lojtarit dhe drejtorit sportiv të klubit z. Valon Zymberi ku i pranishëm ishte edhe presidenti i klubit z. Flamur Bunjaku i cili e konkretizoi marrëveshjen”.
“Kryeziu i cili së fundmi ishte edhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës U21, ka lidhur kontratë me klubin për tre vitet e ardhshme dhe do të shtojë edhe më shumë konkurrencën në ekip”.
“Almiri do t’i bashkohet menjëherë ekipit dhe të vazhdojë punën nën urdhëratë e trajnerit Nuhiu”, thuhet në njoftimin e klubit.
Drita këtë sezon po luan në Conference League, ku fitoi ndeshjen e parë ndaj Deçiçit. /Gazeta Enigma/