I anulohet suspendimi gjyqtarit që ia ndërpreu arrestin shtëpiak Enver Sekiraqës

I anulohet suspendimi gjyqtarit që ia ndërpreu arrestin shtëpiak Enver Sekiraqës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka revokuar vendimin me të cilin gjyqtari Agim Kuçi ishte suspenduar lidhur me vendimin për ndërprejen e masës së arrestit shtëpiak ndaj Enver Sekiraqës, i cili ende gjendet në arrati.

Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), me datë 24 janar 2024 në rastin disiplinor me nr…, e ka revokuar vendimin KGJK-së të datës 21 maj 2024, për suspendimin e gjyqtarit – subjekt i hetimit, ndërsa lidhur me përgjegjësinë disiplinore vendimi nuk mund të bëhët publik në këtë fazë”, ka deklaruar ajo, për “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Kuçi ishte suspenduar pas shpalljes së aktgjykimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, ku mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale mbi vendimin e Themelores, e cila më 3 maj 2024 ia kishte ndërprerë që masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri, ka vendosur që Sekiraqa do të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.

Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim dhe deri tani i njëjti nuk është arrestuar.

“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhej në njoftimin e KGJK-së kur ishte suspenduar gjykatësi.

Aty thuhej se Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa ndikuar.

Related Articles