Moslejimi i Thaçit për ta vizituar babanë, Specialja: Gjendja e tij ishte ndryshe dy javë më parë

Moslejimi i Thaçit për ta vizituar babanë, Specialja: Gjendja e tij ishte ndryshe dy javë më parë

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë dalur me një sqarim, lidhur me refuzimin e kërkesës së Hashim Thaçit për ta vizituar babanë e tij që është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, ka bërë të ditur se kërkesa është refuzuar nga gjyqtarët.

Gjykata Speciale në një përgjigje për Nacionalen, ka sqaruar se kërkesa e Thaçit ishte bërë më 28 janar dhe rrethanat atëherë, kanë qenë të ndryshme.

“Në momentin kur kërkesat e Z. Thaçi u bënë më 28 janar, gati dy javë më parë, siç pasqyrohet në kërkesa, rrethanat e babait të Z. Thaçi ishin të ndryshme nga ato që raportohen në media sot”, thuhet në përgjigje.

Dhomat e Specializuara kanë arsyetuar këtë vendim, duke shtuar se gjyqtarët kanë vendosur bazuar në informatat që u janë prezantuar.

“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon që personat e ndaluar të bëjnë kërkesa për vizita në Kosovë, kur ekzistojnë arsye humanitare të rëndësishme. Gjykatësit përkatës vendosin për këto kërkesa, bazuar në informacionet që jepen në momentin që bëhet kërkesa”, thuhet në përgjigje.

Specialja ka treguar se deri më tash ka mundësuar 12 vizita humanitare në Kosovë.

“Deri tani, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mundësuar 12 vizita në Kosovë për arsye humanitare të rëndësishme, përfshirë dy vizita të Z. Thaçi”, thuhet më tutje.

Refuzimi i vizitës

Dhomat e Specializuara të Hagës ia kanë refuzuar Hashim Thaçit ardhjen në Kosovë.

Kjo pasi babai i Thaçit është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është i shtrirë në spital.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i Thaçit, Luka Misetiq.

Ai ka shkruar se gjyqtarët e kanë refuzuar kërkesën për vizitë.

“Babai i klientit tim Hashim Thaçi është mjaft i sëmurë dhe është kthyer në spital. Ne kishim kërkuar që Hashim Thaçi t’i jepej një lirim i shkurtër dhe i mbikëqyrur për ta vizituar për arsye humanitare. Prokuroria e Specializuar kundërshtoi dhe gjyqtarët e mohuan vizitën”, ka shkruar Misetiq në rrjete sociale.

Thaçi kishte qenë kohë më parë në Kosovë për ta vizituar babain që edhe atëherë ishte në gjendje jo të mire shëndetësore.

Në anën tjetër, Gjykata Speciale ia kishte vonuar kërkesën për të ardhur në Kosovë edhe Nasim Haradinajt, pasi i kishte vdekur vëllai.

Nuk dihen arsyet pse u refuzua kjo kërkesë për Hashim Thaçin.

Kujtojmë se Thaçit së fundmi i është ngritur edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë.

Related Articles