Gjykata Themelore e Prizrenit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Ministrit Fikrim Damka dhe djalit të tij, dhe ua ka caktuar atyre masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për veprat penale “Sulmi” dhe “Kanosja”.
Në njoftim thuhet se të dyshuarit nuk guxojnë të largohen nga vendbanimi pa lejën e Gjykatës dhe iu ndalohet të kontaktojnë me personat me të cilët ata nuk jetojnë apo nuk janë të varur nga të pandehurit.
Komunikata e plotë:
Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj dy (2) të pandehurve , për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç kanë kryer veprat penale, Sulmi dhe Kanosja Prizren, 11 shkurt 2025– Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) të pandehurve, dhe ka marrë AKTVENDIM, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve:
– F.D., (I), për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: sulmi nga neni 181 par.1 të KP-së, dhe për veprën penale kanosja nga neni 181 par.2 lidhur me par.1 të KP-së., dhe ndaj të dyshuarit
– F.D. (II), për shkak të dyshimit zë bazuar se ka kryer veprat penale: sulmi nga neni 184 par.1, dhe veprën penale kanosja nga neni 181 par.1 të KP-së.
Masa e arrestit shtëpiak është caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2025 dhe mund të zgjasë deri më datën
09.03.2025.
Të pandehurit nuk guxojnë që të largohen nga vendbanimi pa lejen e Gjykatës, si dhe iu ndalohet të kontaktojnë me personat me të cilët ata nuk jetojnë apo nuk janë të varur nga të pandehurit.
Nëse të pandehurit e shkelin masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit.
Kjo masë do të mbikëqyret nga Stacioni Policor në Prizren, të cilët edhe pa kërkesë të Gjykatës në çdo kohë mund të verifikojnë zbatimin e masës së arrestit shtëpiak dhe të njoftojnë Gjykatën për çdo cenim të mundshëm të masës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtje së seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë dhe dëgjimit të pohimeve të palëve, dhe në bazë të provave në shkresat e lëndës, ka gjetur se kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e paraburgimit është e pabazuar, dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.
Fillimisht Gjykata nga shkresat e lëndës ka vërtetuar se rrjedhë dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, në këtë drejtim është vlerësuar se edhe me masën e arrestit shtëpiak, do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohet normalisht dhe pa pengesa procedura penale, përkatësisht procedura hetimore ndaj të pandehurve.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i masës së arrestit shtëpiak, në këtë fazë të procedurës për të pandehurit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.