Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë po vazhdon edhe sot në disa komuna të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
Nga KQZ kanë njoftuar se Qendrat Komunale të Numërimit në qytetet kryesore të vendit, përfshirë Prishtinën, Mitrovicën, Gjilanin dhe Gjakovën, kanë nisur punën që nga ora 08:00.
Gjithashtu, edhe në Ferizaj ka filluar procesi i numërimit, duke u bashkuar me komunat e tjera si Deçani, Drenasi, Fushë Kosova, Kamenica, Lipjani, Obiliqi, Skënderaji, Shtërpca, Viti, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti, Mitrovica e Veriut dhe Hani i Elezit.
Për qendrat e tjera të numërimit që ende nuk kanë nisur procesin, KQZ-ja ka njoftuar se do të japin informacione të mëtejshme gjatë ditës. Institucionet përkatëse po sigurohen që procesi të zhvillohet sipas rregullave dhe në mënyrë transparente.
Ndërkohë, në rezultatet preliminare, KQZ-ja ende nuk ka procesuar shtatë vendvotimet e tfundit.
Nga procesimi i 2526 vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84 për qind të votave, apo 341 mijë e 672 vota. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 184 mijë e 499 vota apo 22.05 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e treta me 17.67 për qind apo 147 mijë e 827 vota. Koalicioni AAK-Nisma, konservatorët dhe intelektualët ka marrë 62 mijë e 309 vota apo 7.45 për qind, si subjekti i fundit që ka siguruar kalimin e pragut prej 5 për qind. Lista Serbe ka marrë 38 mijë e 83 vota ose 4.55 për qind. Ndërsa Koalicioni për Familje ka marr 2.26 për qind ose 18 mijë e 905 vota.
Ka pasur ankesa për problemet që janë shfaqur në sistemin e KQZ-së që nga dita e zgjedhjeve.