Kosova feston vitin e 17 të Pavarësisë

Kosova feston vitin e 17 të Pavarësisë

Më 17 Shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur sovran dhe demokratik, teksa sot ajo feston 17 vjetorin e kësaj dite, raporton Gazeta Enigma.

E për nderë të Pavarësisë janë paraparë një varg aktivitete.

Krerët e shtetit do të bëjnë ngritjen e flamurit shtetëror në mëngjes, do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova e ai i veprimtarit Adem Demaçi dhe në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.

Ndërkohë, Kuvendi do të mblidhet në seancë solemne. Më vonë, krerët e shtetit do të mbajnë edhe pritjen shtetërore. Deri tani, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 vende.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të vitit 2008 ku merrnin pjesë 107 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën Shtet të Pavarur, Sovran dhe Demokratik. 

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 107 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Prishtinës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit. 

Kështu më 17 shkurt të vitit 2008 u kurorëzua ëndrra për pavarësi e një populli që kaloi nëpër vuajtje dhe diskriminim, nëpër një luftë të përgjakshme, e cila ishte vetëm kapitulli i fundit tragjik i një drame me shumë akte, dramë e cila u shtri përgjatë një shekulli. 

Kjo është Deklarata solemne e Pavarësisë që u lexua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe Presidentit të Kosovës:

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.”

Related Articles