Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Transportit e Komunës së Prishtinës ka reaguar pas një incidenti të ndodhur në linjën e autobusit 3A, ku sjellja e shoferit ndaj nxënësve është konsideruar e papranueshme.
Kjo Drejtori thotë se pas marrjes së informacionit dhe analizimit të videos së ngjarjes, janë ndërmarrë masat e nevojshme, dhe “shoferi i përfshirë është larguar nga puna”.
“Konduktori është pezulluar për 10 ditë, deri në verifikimin e plotë të rastit”, ka thënë Komuna e Prishtinës në një njoftim.
Drejtoria e Shërbimeve Publike thotë se dënon çdo veprim që cenon sigurinë e fëmijëve dhe qytetarëve dhe riafirmon përkushtimin për një transport publik të sigurt dhe të përgjegjshëm.
Komuna ka ftuar qytetarët të raportojnë çdo rast të ngjashëm për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve të transportit.