Numërimi i votave të mërgatës nga votimi nëpër përfaqësitë diplomatike pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Ai ka thënë se pas përfundimit të numërimit të këtyre votave, do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës.
“Aktualisht janë duke u numëruar votat nga votimi në përfaqësitë diplomatike, në ndërrimin e pasdites do të mbesin 11 vendvotime të cilat pritet të përfundojnë sonte. Rezultatet nga numërimi i sotëm së shpejti do të shfaqen në platformën elektronike. Pas tyre do të fillojmë me numërimin e votave të mërgatës që kanë votuar nëpërmjet postës”, ka thënë Elezi.
Sipas të dhënave të KQZ’së janë rreth 69 mijë pako me fletëvotime nga votimi me postë, por janë aprovuar 62 mijë e 990 sosh.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar deri tani rezultatet nga numërimi i 44.19 për qind të vendvotimeve nga përfaqësitë diplomatike.
Sipas rezultateve të deritanishme, kur numërimi ka përfunduar në 19 kuti, nga 43 sa janë gjithsej, Lëvizja Vetëvendosje (VV) prin me 81.89 për qind të votave.
Ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)e cila ka marrë 7.21 për qind të votave dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK)që ka marrë 5.75 për qind.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 1.54 për qind të votave e Koalicioni për Familjen 1.07 për qind.
Numërimi i votave të diasporës, pason me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.
Vota me kusht janë 12 mijë e 801, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2,597.