“Dështim i institucioneve” – 11-vjeçarja dhunohet përsëri, askush nuk mban përgjegjësi

“Dështim i institucioneve” – 11-vjeçarja dhunohet përsëri, askush nuk mban përgjegjësi

11-vjeçarja që u dhunua nga 10 burra e djem në qershor e gusht të vitit 2022, dyshohet se u dhunua sërish në fillim të muajit shkurt të këtij viti, raporton Gazeta “Enigma”.

Pas publikimit të rastit ka reaguar gazetarja Kaltrina Rexhepi – Dragusha e cila ka thënë se rasti i 11-vjeçares tregon dështimin e institucioneve.

“Viktima më e njohur e dhunimit, 11-vjeçarja, është abuzuar përsëri, ndërsa asnjë institucion shtetëror, përfshirë menaxherët e rastit, nuk ka mbajtur përgjegjësi për rastet e mëparshme”, ka shkruar ajo.

Tutje Kaltrina ka deklaruar se e mitura u dhunua për herë të tretë brenda Strehimores së Rrezikshmërisë së Lartë, një institucion që duhej ta siguronte atë nga çdo rrezik. Pavarësisht kësaj, asnjë masë nuk është marrë ndaj përgjegjësve.

“Për herë të tretë, ajo u dhunua brenda Strehimores së Rrezikshmërisë së Lartë – një institucion që supozohej ta mbronte – por asnjë masë nuk u mor ndaj përgjegjësve.

Për herë të katërt, dhunimi ndodhi pasi ajo u lirua dhe u kthye në familjen e saj – të njëjtën familje që dy herë nuk kishte arritur ta mbrojë. Autoritetet i siguruan një banesë, por kjo nuk mjaftoi për të garantuar sigurinë e saj”, ka shkruaj ajo në profilin e  saj në Facebook.

Tutje ajo ka theksuar se “që nga hera e dytë e dhunimit, përgjegjësia bie mbi institucionet, të cilat nuk arritën të vlerësojnë rrezikun dhe nuk ndërmorën hapat e duhur për t’i siguruar asaj mbrojtje efektive. Mungesa e veprimeve të duhura tregon se sistemi nuk është në gjendje të trajtojë raste të ndërlikuara dhe të sigurojë drejtësi për viktimat e cenueshme”.

“Kjo ngjarje nuk është thjesht një dështim institucional në menaxhimin e një rasti dhune – është një tragjedi. Ajo tregon se viktimat që konsiderohen “të komplikuara” nuk marrin mbrojtjen e duhur, sepse sistemi nuk di, ose nuk dëshiron, t’i trajtojë me përgjegjësi dhe dinjitet. Mbetet për t’u parë sesi institucionet do të përpiqen të mbulojnë këtë rast, ndërkohë që askush ende nuk ka mbajtur përgjegjësi”. /Gazeta Enigma/

Related Articles