Shpërfillja e Kurtit ndaj Prokurorisë, flasin nga Ambasada britanike

Shpërfillja e Kurtit ndaj Prokurorisë, flasin nga Ambasada britanike

Ambasada e Mbrëtërisë së Bashkuar në një përgjigje për Gazetën Express të pyetur lidhur me refuzimin e kryeministrit Albin Kurti për t’u paraqitur para Prokurorisë si dëshmitar, kanë thënë se respektimi i sundimit të ligjit është tipar kryesor i demokracisë në Kosovë.

Nga Ambasada kanë kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe procedurat ligjore dhe të veprohet në interesin më të mirë të vendit. 

Kryeministri i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka disa muaj që është duke refuzuar thirrjen e Prokurorisë Speciale për t’u paraqitur para prokurorëve në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore.

Kurti s’ka përfillur as urdhrin e Gjykatës së Prishtinës që e kishte obliguar për t’u paraqitur të martën në orën 10:00 para Prokurorisë Speciale, dhe nga qyteti i Gjilanit ku po vendoste themelet e një çerdheje, ka vazhduar sulmet e tij ndaj institucionit të Prokurorisë me akuzën se në këtë çështje ka interferime politike. 

Lidhur me këtë refuzim të Kurtit ndaj Prokurorisë dhe mospërfillje të Gjykatës, në një përgjigje kanë folur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, duke potencuar se respekti ndaj sundimit të ligjit është tipar kryesor i demokracisë së Kosovës. 

Ambasada britanike ka kërkuar nga të gjithë të përfshirët në rast, të respektojnë Kushtetutën dhe procedurat ligjore dhe të punojnë për atë që është në interesin më të mirë të Kosovës. 

“Respekti për sundimin e ligjit është një tipar kryesor i demokracisë së Kosovës. Ne kërkojmë nga ata që janë të përfshirë në këtë rast që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në respekt të proceseve ligjore dhe të punojnë në atë që është interesi më i mirë i Kosovës”, kanë thënë Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar. 

Ftesa nga Prokuroria fillimisht i kishte shkuar Kurtit në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo nga Qeveria ishte interpretuar edhe si ndërhyrje në zgjedhje, meqë Kosova me 9 shkurt do të mbante zgjedhjet e përgjithshme.

“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, kishte shkruar zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu. 

Related Articles