Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se në fshatin Obranqë të Podujevës janë gjetur eshtra.
Këto eshtra dyshohet se mund të jenë të personave nga lista e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
Sipas Komisionit, eshtrat e gjetura janë duke u ekzaminuar nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) me qëllim të identifikimit të saktë.
Gërmimet thanë se po kryhen në bazë të informacionit që qytetarët e kanë ndarë në fund të janarit.
“Sot, gjatë gërmimeve në fshatin Obranqë, Komuna e Podujevës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Policinë e Kosovës, kanë hasur në eshtra që dyshohet se mund të jenë të personave nga lista e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Aktualisht, eshtrat e gjetura janë duke u ekzaminuar nga ekspertët e IML-së, me qëllim të identifikimit të saktë. Këto gërmime u realizuan në bazë të informacionit që qytetarët kishin ndarë në fund të muajit janar, për çka ju jemi mirënjohës”, thuhet në njoftimin e Komisionit në Facebook. /Gazeta Enigma